(17) Sot, çdo njeri do të shpërblehet për atë që ka punuar; sot nuk ka padrejtësi! Perëndia, me të vërtetë, është llogaritar i shpejtë.
(18) Dhe, paralajmëroi ata për Ditën e afërt të Gjykimit, kur zemrat do t’u vijnë deri në fyt prej pikëllimit. (Atëherë), për njerëzit e këqinj nuk ekziston asnjë mik i sinqertë dhe ndërmjetësues i pranueshëm.
(19) (Perëndia) di për shikimin e përvjedhur të syrit dhe atë që fsheh zemra;
(20) Perëndia gjykon drejt, e ata që u luten atyre përveç Tij, nuk gjykojnë asgjë. Perëndia, me të vërtetë, dëgjon dhe sheh (çdo gjë).
(21) A s’kanë udhëtuar ata nëpër botë, që të shohin se si ka qenë fundi i atyre që kanë jetuar më parë? Ata kanë qenë më të fuqishëm se ata (Kurejshit) dhe më me shumë gjurmë (përmendore), por, Perëndia i dënoi, për shkak të mëkateve të tyre, dhe për ta nuk ka pasur kurrfarë mbrojtësi prej dënimit të Perëndisë.
(22) Ky (dënim) është, ngase atyre u vinin pejgamberët me dokumente të qarta, e ata nuk u besonin, prandaj Perëndia i dënoi. Me të vërtetë, Ai është i fuqishëm dhe ndëshkon ashpër.
(23) Me të vërtetë, Ne e kemi dërguar Musain me dokumentet Tona dhe me mrekulli të qartë –
(24) te Faraoni, Hamani dhe Karuni, e ata thanë: “Ky është magjistar dhe gënjeshtar!”
(25) E, kur atyre u erdhi (Musai) me të Vërtetën prej Nesh, ata thanë: “Mbytni djemtë e atyre që kanë besuar në të e lëni të gjalla vajzat e tyre!” Por dinakëritë e mohuesve gjithmonë janë në humbje.