(74) E, mohuesit, me të vërtetë, do të qëndrojnë përherë në dënimin e xhehennemit,
(75) ai (dënimi) nuk do t’u lehtësohet atyre kurrfarë shprese për shpëtim nuk do të kenë (duke u vënë në heshtje).
(76) Ne, atyre nuk u kemi bërë padrejtësi, por ata kanë qenë të padrejtë (dhe zullumqarë të vetvetes).
(77) Ata (atëherë) do të thërrasin: “O Malik (engjëlli i mbikëqyrjes së zjarrit)! Le të na gjykojë Zoti yt me shkatërrim (vdekje)!” E ai do të thotë: “Ju, do të qëndroni përherë aty!”
(78) Na ju kemi sjellë të Vërtetën (Shpalljen), por shumica prej jush, e urren të Vërtetën.
(79) Nëse ata (mohuesit) kurdisin kurtha, edhe Ne do t’u vëmë kurtha (në dënim).
(80) Vallë, a mendojnë ata se Ne nuk dëgjojmë çka flasin ata tinëzisht dhe haptas në mes tyre? Përkundrazi, Na dëgjojmë, e të dërguarit Tanë (engjëjt), që janë pranë tyre, shënojnë.
(81) Thuaju (atyre o Muhammed): “Sikur Bamirësi i Gjithmbarshëm të kishte fëmijë, unë i pari do ta adhuroja!
(82) Qoftë i lartësuar Zoti i qiejve dhe i Tokës, Zoti i Arshit! Nga ajo çka i përshkruajnë Atij!
(83) Lëni ata le të zhyten (në të këqia) dhe le të argëtohen derisa të takohen në ditën që u është premtuar (Dita e Kijametit).
(84) Dhe Ai është Zot në qiell dhe Zot në Tokë. Ai është i Gjithëdijshëm dhe i Plotëdijshëm!
(85) Dhe, qoftë i lartësuar Ai, të cilit i përket pushteti i qiejve dhe i Tokës dhe çka gjendet mes tyre. Vetëm tek Ai është dijania mbi Çastin dhe tek Ai do të ktheheni!
(86) Ata që adhurojnë tjetër (zot), pos Perëndisë, - nuk do të mund të angazhohen për kënd, munden vetëm ata që e pranojën të Vërtetën, dhe ata këtë e dinë (që është vetëm një Zot).
(87) E, nëse i pyet ata kush i ka krijuar, ata me siguri do të thonë: “Perëndia!” E, nga po ia mbajnë atëherë?
(88) E, fjala e tij (Muhammedit), është: “O Zoti im, me të vërtetë, ky është popull që nuk beson.
(89) (O Muhammed!) largohu prej tyre dhe thuaju: “Selam!” (Lamtumirë), e ata së shpejti do ta dinë (gjendjen)!