(122) Ata që besojnë dh bëjnë vepra të mira, Na do t’i shpiem në kopshte të xhennetit, nëpër të cilat rrjedhin lumenjt, ku do të qëndrojnë vazhdimisht e përgjithmonë. Ky është premtimi i vërtetë i Perëndisë. E kush është më i vërtetë se Perëndia në fjalë?!
(123) Puna nuk qëndron ashtu, as sipas dëshirës suaj e as sipas dëshirës së ithtarëve të Librit. Por është, se kushdo që të bëjë një të keqe, do të ndëshkohet për atë dhe nuk do të gjejë as mbrojtës as ndihmëtar përveç Perëndisë;
(124) kushdo që të punojë vepra të mira, qoftë ai mashkull ose femër, duke qenë ai besimtarë, do të hyjë në xhennet dhe nuk do t’i bëhet dëm as sa një thërrmi.
(125) Kush është besimtar më i mirë nga ai që i dorëzohet sinqerisht Perëndisë, duke qenë bëmirës dhe zbatues i fesë së pastër të Ibrahimit (që nuk i ka bërë shok Perëndisë); e Perëndia e ka marrë Ibrahimin për mik?!
(126) Të Perëndisë janë të gjitha çka gjenden në qiej dhe në Tokë dhe Perëndia i përfshin të gjitha (me dijeninë dhe pushtetin e Tij).
(127) Ata prej teje (o Muhammed!) kërkojnë sqarimin e çështjeve për punë të femrave. Thuaju: “Perëndia ua sqaron çështjet e atyre, dhe për atë që ua ka shpjeguar në libër mbi femrat bonjake, të cilave nuk u jepni atë që është caktuar për to, e dëshironi të martoheni me to, (dhe ju mëson) për fëmijët e mitur dhe (ju urdhëron) që të silleni drejt ndaj bonjakëve”. E, Perëndia, e di mirë për çdo të mirë që punoni.