(98) E, sikur të ishte ndonjë vendbanim që beson, e që t’i bëjë dobi besimi i tij (s’ka pasur dobi), përveç popullit të Junusit, meqë ata besuan (në momentin e dënimit), e Na e larguam nga ata dënimin e poshtërimit në jetën e kësaj bote, dhe u dhamë të kënaqen edhe njëfarë kohe.
(99) Sikur të donte Zoti yt, do të besonin të gjitha ata – që gjenden në tokë. E, përse atëherë ti t’i detyrosh njerëzit të bëhen besimtarë!?
(100) Askujt nuk i është dhënë të besojë, përveç me lejen e Perëndisë. Ai dënon ata që s’mendojnë.
(101) Thuaj: “Shikoni çka ka në qiej dhe në Tokë!” – Por, nuk i bëjnë kurrfarë dobie argumentet dhe vërejtjet – popullit që nuk beson.
(102) Vallë, a presin ata tjetër gjë, përpos (dënimeve) të ngjashme si të atyre që kanë përjetuar më parë. Thuaj: “Pritni ju (dënimin) se edhe unë po pres me ju!”
(103) Pastaj, Na do t’i shpëtojmë pejgamberët Tanë dhe ata që kanë besuar. Kjo është detyra (e premtuar) e Jona, që t’i shpëtojmë besimtarët.
(104) Thuaj: “O njerëz, nëse dyshoni ju në fenë time, - e unë, përveç Perëndisë, nuk do të adhurojë atë që e adhuroni ju, por do të adhuroj Perëndinë, i cili ua merr shpirtin juve; e mua më është urdhëruar të bëhem besimtar
(105) (dhe më është urdhëruar): “Ktheju ti fesë së vërtetë dhe kurrsesi mos u bën nga idhujtarët,
(106) dhe, përveç Perëndisë, mos iu lut tjetër kujt, të cilët nuk të sjellin as dobi as dëm, e nëse e bën këtë, ti atëherë, me të vërtetë, je nga zullumqarët”.