يونس Yunus
(1) Elif Lâm Râ. Këto janë versetet e Librit plot dijeni.
(2) Vallë, pse çuditën njerëzit që Na ia shpallëm njërit prej tyre (duke i thënë): “Paralajmëroji njerëzit dhe sihariqoji ata që besojnë; se, me të vërtetë, për ta ka shpërblim të mrekullueshëm te Zoti i tyre!” Mohuesit thanë: “Ky, me të vërtetë, është magjistar i madh!”
(3) Perëndia, me të vërtetë, është Zoti juaj, i cili për gjashtë ditë (periudha të caktuara kohore) ka krijura qiejt dhe Tokën, u bë sundues i tërë gjithësisë, duke drejtuar çdo gjë. S’ka ndërmjetës tek Ai, përpos me lejen e Tij. Ky është Perëndia, Zoti juaj, andaj adhuronie Atë! A s’po mendoni ju?!
(4) Tek Ai do të ktheheni të gjithë ju. Premtimi i Perëndisë është i vërtetë. Ai krijon prej fillimit (prej kurrgjëje), e pastaj e kthen atë në jetën e përhershme, që t’i shpërblejë me të drejtë – ata që besojnë dhe punojnë vepra të mira. E, për ata që nuk besojnë, ka pije nga uji i vluar dhe dënim të madh, për shkak se kanë mohuar.
(5) Ai, Diellin e bëri burim të dritës, kurse Hënën e bëri të shkëlqejë, duke i caktuar fazat e saj, për të ditur numrin e viteve dhe njehsimin e kohës). Vetëm Perëndia i krijoi këto në mënyrë të mrekullueshme. Ai ua shpjegon argumentet njerëzve që kuptojnë.
(6) Me të vërtetë, në ndërrimin e natës dhe të ditës dhe në atë që ka krijuar Perëndia në qiej dhe në Tokë, janë argumentet për ata që besojnë.