(16) Kur t’i lëni ju ata (popullin tuaj) dhe atyre që iu luteshin ata, përveç Perëndisë – (i thanë njëri-tjetrit): “Strehohuni në shpellë, Zoti juaj do t’ju begatojë juve nga mëshira e Tij dhe do t’ju përgatisë për veprën tuaj, atë, nga e cila do të keni dobi”.
(17) Ti e shikon Diellin kur lind, se ai anon kah ana e djathtë prej shpellës së tyre, e kur perëndon, ata i lë në anën e majtë, e ata gjendeshin në mesin e saj. Ky është nga argumentet e Perëndisë. Kënd e udhëzon Perëndia në rrugë të drejtë, ai është i udhëzuar, e kënd Ai e lë në humbje, ti, me siguri – nuk do të mund t’i gjesh ndihmës, që do ta udhëzojë atë.
(18) Dhe, ti, mendon se ata janë zgjuar, por ata janë në gjumë; dhe Ne i rrotullonim ata – herë në krah të djathtë, e herë në të majtë, kurse qeni i tyre, kishte shtrirë dy këmbët e para në hyrje të shpellës; që sikur t’i kishte parë ti, do të ikëshe nga ata dhe do të kaplonte frika.
(19) Ashtu (siç i kemi vënë në gjumë) Ne i kemi zgjuar ata, që të pyesin, njëri-tjetrin. Njëri nga ata tha: “Sa keni ndenjur (në gjumë)?” – U përgjegjën: “Kemi qëndruar një ditë, apo një pjesë të ditës”. (Disa nga ata) thanë: “Zoti juaj di më së miri, sa keni ndenjur. Dërgoni njërin prej jush me këtë monedhë të argjendtë tuajën, në qytet, e le të shikojë se kush prej tyre (në qytet) ka ushqim më të pastër. Le t’ju sjellë juve furnizim nga ajo, le të sillet mirë dhe askënd mos ta lajmërojë për ju.
(20) Me të vërtetë, ata, nëse ju zbulojnë, do t’ju gjuajnë (mbysin) me gurë, ose do t’ju kthejnë juve (me forcë) në fenë e tyre, dhe atëherë nuk do të shpëtoni kurrsesi!”