(105) (Ju thuhet atyre): “Vallë, a nuk u janë lexuar juve ajetet Tona, e ju i keni përgënjeshtruar”.
(106) Do të thonë ata: “O Zoti ynë, neve na ka munduar e keqja jonë, andaj jemi bërë popull i humbur.
(107) O Zoti ynë, nxirrna prej tij (zjarrit); e nëse na kthehemi (në mohim), (atëherë) do të jemi zullumqarë”.
(108) (Perëndia) do të thotë: “Rrini në të (zjarr) të përbuzur dhe mos Më flisni asgjë!”
(109) Ka qenë një grup i robërve të Mi, i cili thoshte: “O Zoti ynë, na kemi besuar, andaj na falë dhe na mëshiro! E, Ti je më i miri mëshirues!” –
(110) e ju i keni marrë ata për (objekt) talljeje, andaj, për këtë shkak, Mua, më harruat së përmenduri, e përherë i përqeshnit ata.
(111) Unë, i kam shpërblyer ata sot, për durueshmërinë e tyre, e ata, me të vërtetë, janë të shpëtuar.
(112) (Engjëlli) do të thotë: “Sa vjet i keni kaluar në Tokë (botë)?”
(113) Do të pëgjigjen ata: “Kemi qëndruar një ditë apo një pjesë të ditës; - pyetni numruesit (ata që i kanë numruar)?”
(114) Do të thotë (Perëndia): “Keni qëndruar shumë pak. E, sikur të kishit ditur!”
(115) Mos vallë, keni menduar ju, që Ne ju kemi krijuar juve kot dhe që nuk do të ktheheni te Ne?”
(116) I lartësuar është Perëndia, sundimtari i Vërtetë! S’ka zot tjetër përpos Tij, Zotit të Arshit (Kozmosit) madhështor!
(117) Ai që pos Perëndisë, adhuron zot tjetër, duke mos pasur kurrfarë dokumenti për këtë, me siguri – llogaria është vetëm te Zoti tij. Me të vërtetë, nuk ka shpëtim për mohuesit.
(118) Dhe, thuaj (o Muhammed!): “O Zoti im, fal dhe mëshiro, e Ti je më i miri mëshirues!”