المؤمنون Al-Muminoon
(1) Me të vërtetë, shpëtuan besimtarët,
(2) të cilët, në namazin e tyre janë të përulshëm,
(3) dhe të cilët shmangen nga kotësitë,
(4) dhe të cilët japin zeqatin,
(5) dhe të cilët i ruajnë organet e veta gjenitale,
(6) përpos (në martesë) me gratë e tyre ose me skllavëreshat e tyre, (për këto) ata nuk janë të qortuar.
(7) E, kush kërkon (kënaqësi) përpos këtyre, të atillët – me të vërtetë, janë kundërvajtës.
(8) (Të shpëtuar janë) edhe ata, që i ruajnë amanetet dhe obligimet (e marra përsipër),
(9) dhe ata që e ruajnë namazin e tyre, (prej mungesave),
(10) ata janë trashëgimtarë të denjë,
(11) të cilët, do ta trashëgojnë (xhennetin) Firdeusin. Ata, do të banojnë përherë në të.
(12) Me të vërtetë, Na e kemi krijuar njeriun praj baltës (thelbit të tokës),
(13) e pastaj, si pikë – fare të vendosur në vend të sigurt
(14) e mandej, pikën e farës e kemi bërë gjak (të droçkuar), e pastaj e kemi bërë copëz mishi; mandej, atë copëz mishi e kemi shndërruar në eshtra, e eshtrat i kemi veshur me mish dhe pastaj kemi krijuar krijesë tjetër. Qoftë lartësuar Perëndia, krijuesi më i përsosur!
(15) Mandej, pas kësaj ju do të vdisni,
(16) pastaj, ju me të vërtetë, do të ringjalleni në Ditën e Kijametit.
(17) Ne, kemi krijuar mbi ju shtatë qiej dhe Ne nuk jemi të pakujdesshëm, ndaj krijesave Tona;