(77) dhe, me të vërtetë, ai (Kur’ani) është udhërrëfyes dhe mëshirë për besimtarët.
(78) Me të vërtetë, Zoti yt i gjykon ata me drejtësinë e Tij. Ai është i Plotëfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm.
(79) Andaj, ti mbështetu në Perëndinë! Me të vërtetë, ti je në të drejtën e qartë!
(80) Me të vërtetë, ti nuk mund të bësh që të vdekurit të dëgjojnë, as nuk mund të bësh të shurdhërin që të dëgjojë, pasi që të kthejnë shpinën (prej teje),
(81) as që mundesh t’i shmangësh të verbërit prej humbjeve të tyre; mund t’i thërrasish vetëm ata që besojnë në argumentet Tona. E ata janë muslimanë.
(82) Dhe, kur të vie koha që të dënohen ata, Na do të bëjmë që nga Toka të del një kafshë, e cila do t’u thotë atyre se njerëzit nuk u janë bindur argumenteve Tona.
(83) (Kujtoju ti atyre) kur Na do t’i tubojmë prej çdo populli nga një grup – nga ata që i kanë përgënjeshtruar argumentet Tona – e ata do të radhiten –
(84) e kur të vijnë (për të dhënë llogari), Ai (Perëndia), do t’i pyesë: “A mos vallë ju i keni përgënjeshtruar argumentet e Mia, e që nuk keni pasur kurrfarë njohurie për to? Ç’keni bërë ju ashtu?!”
(85) Dhe do t’i godet ata dënimi, meqë kanë qenë zullumqarë, e nuk do të mund të bëzejnë asnjë fjalë.
(86) Vallë, a nuk shohin ata, që Ne e kemi bërë natën për pushim, e ditën të ndritshme (për punë). Në këtë, me të vërtetë, ka argument për popullin që beson.
(87) (Përkujtoju ti atyre) Ditën kur do të fryhet në Sur, e që do të tmerrohet çdokush që gjendet në qiej e në Tokë, përpos atyre që Perëndia nuk do t’i frikësojë. Të gjithë do t’i vijnë Atij të përulur.
(88) Ti i shikon malet e mendon se janë të palëvizshme, por ato lëvizin si retë. Kjo është vepër e Perëndisë, i cili e ka përsosur çdo gjë. Me të vërtetë, Ai di atë që punoni ju.