(64) Apo është (më i mirë) Ai, i cili ka krijuar të gjitha prej asgjëje, i cili, pastaj, përsëri do ta kthejë atë (pas vdekjes) – dhe (Ai) që ju furnizon nga qielli (me të reshura) dhe toka (me të lashta)? Vallë, a ekziston krahas Perëndisë, zot tjetër? Thuaj (o Muhammed): “Sillni argumentet tuaja, nëse thuani të vërtetën!”
(65) Thuaj: “Askush, pos Perëndisë, as në qiell as në Tokë nuk di sekretet, ata nuk dinë se kur do të ringjallen.
(66) Vallë, a dinë ndopak ata – për jetën tjetër?! Asgjë! – ata dyshojnë në të, ata janë të verbër ndaj saj.
(67) Dhe, mohuesit thonë: “Vallë, a mos do të ringjallmi ne dhe etërit tanë, pasi të jemi bërë dhé?
(68) Me të vërtetë, neve dhe etërve tanë na është premtuar kjo qysh më parë, këto, me të vërtetë, nuk janë tjetër, pos trillime të popujve të lashtë”.
(69) Thuaj: “Udhëtoni nëpër botë – e shikoni si ka qenë fundi i mëkatarëve!”
(70) Dhe, mos u pikëllo ti për shkak të tyre, dhe mos u ngushto ti – për pështjellimet e tyre.
(71) Dhe, ata thonë: “Kur do të realizohet ky premtim (diftona) nëse thuani të vërtetën?”
(72) Thuaj: “Do t’ju arrijë, së shpejti diçka nga ajo që po e nxitoni!
(73) Dhe, me të vërtetë, Zoti yt është bamirës i madh i njerëzve, por shumica e tyre nuk janë falenderues.
(74) Dhe, me të vërtetë, Zoti yt – di atë që fshehin zemrat e tyre dhe atë që e shfaqin haptazi.
(75) S’ka asgjë të padukshme në qiell dhe në Tokë; e që të mos jetë e shënuar në Librin e qartë (Levhi Mahfudh).
(76) Me të vërtetë, ky Kur’an, u tregon bijve të Israelit – shumë nga konfliktet e tyre.