الأحزاب Al-Ahzaab
(1) O pejgamber! Druaje Perëndinë dhe mos i dëgjo mohuesit dhe hipokritët! Me të vërtetë, Perëndia është i Plotëdijshëm dhe i Gjithëdijshëm,
(2) dhe paso atë, që të është shpallur ty nga Zoti. Me të vërtetë, Perëndia e di mirë atë që punoni ju,
(3) dhe mbështetu te Perëndia, të mjafton ty mbështetja te Perëndia!
(4) Perëndia, asnjë njeriu nuk ia ka dhënë dy zemra në krahëror; Perëndia nuk ua ka bërë gratë tuaja – nëna, të cilave u thoni: “Shpina juaj është si e nënës sime”, as që ua ka bërë fëmijët e përvetësuar – bijë të vërtetë. Këto janë vetëm fjalët tuaja – prej gojës suaj (joreale), e Perëndia thotë të vërtetën dhe Ai udhëzon në rrugë të drejtë.
(5) Ju thërritni ata sipas etërve të tyre! Kjo është më e drejtë te Perëndia. E, nëse nuk e dini (emrin) e etërve të tyre, ata janë vëllezërit tuaj për kah besimi dhe mbrojtësit tuaj. Nuk është mëkat nëse gaboni, por nëse atë e bëjnë me qëllim zemrat tuaja; se, Perëndia është falës dhe mëshirues.
(6) Pejgamberi është më mbikëqyrës për besimtarët se sa ata për vetveten, e gratë e tij – janë (si) nënat e tyre. Dhe, ata nga farefisi – janë më të afërt të njëri-tjetrit, sipas Librit të Perëndisë – se sa besimtarët tjerë dhe muhaxherët, përveç nëse doni t’u bëni ndonjë të mirë dashamirëve tuaj. Kjo është shënuar në Libër.