(51) Ti mund ta shmangësh kë të duash nga ato e ta ofrosh kë të duash, e nuk është mëkat për ty t’i kërkosh (ato) prej të cilave je larguar. Kjo është më e përshtatshme që ato të gëzohen, që të mos pikëllohen dhe që të jenë të kënaqura me atë që u ke dhënë (grave) – të gjithave, e Perëndia di ç’ka në zemrat tuaja; Perëndia është i Gjithëdijshëm dhe i butë.
(52) Prej tash – nuk të lejohen gratë (që t’i marrësh për bashkëshorte), as të marrësh tjetër grua në vend të tyre, e sikur madje edhe të të magjeps bukuria e tyre, pos skllaveve. E, Perëndia është mbikëqyrës për çdo gjë.
(53) O besimtarë, mos hyni në dhomat e Pejgamberit, përveç nëse u lejohet juve për të ngrënë, por jo të pritni përgatitjen e tij (ushqimit); vetëm kur t’ju thërrasin, atëherë hyni dhe pasi të hani, shpërndahuni pa biseduar me njëri-tjetrin. Kjo (ndalja), me të vërtetë, e shqetësonte Pejgamberin, e ai turpërohej (që t’jua thotë këtë); e Perëndia nuk turpërohet që t’ju thotë të vërtetën. E, kur të kërkoni prej atyre diçka, kërkoni (atë) prapa perdes. Kjo është më e pastër për zemrat tuaja dhe të atyreve. Juve nuk u lejohet që ta shqetësoni Pejgamberin e Perëndisë, as që t’i kurorëzoni gratë e tij – kurrë pas tij. Kjo, me të vërtetë, te Perëndia është mëkat i madh.
(54) Në qoftë se e shfaqni apo e fshehni një gjë, Perëndia, me të vërtetë, është i Gjithëdijshëm për çdo gjë.