(13) Apo do të thonë ata: “E ka trilluar atë (Kur’anin) ai!” Thuaj (o Muhammed!): “Sillni dhjetë sure të ngjashme të trilluara dhe thirrni kë të mundeni, përpos Perëndisë, nëse thuani të vërtetën!”
(14) E, nëse nuk ju përgjigjën (ftesës) juve, dijeni se ai (Kur’ani) ka zbritur me dijen e Perëndisë dhe s’ka zot tjetër përveç Tij. Andaj, a jeni ju muslimanë? (meqë i patë këto argumente).
(15) Ata që e duan (vetëm) jetën e kësaj bote dhe bukuritë e saj, Na do t’ua plotësojmë krejtësisht punët e tyre në të (botë) dhe atyre në të (këtë botë) nuk do t’u mungohet asgjë.
(16) Këta janë ata, që në botën tjetër nuk do të kenë kurrgjë, përveç zjarrit. Do t’u shëmbet çdo gjë që kanë punuar në të (këtë botë) dhe do t’u humbet ajo që kanë punuar.
(17) A mos vallë, ata që duan vetëm jetën e kësaj bote, janë të barabartë me ata që mbështeten në dokumentet e qarta të Zotit të tyre; këtë e pason dëshmitari nga Perëndia (Kur’ani), dhe qysh para tij (Kur’anit) Libri i Musait, i cili ka qenë udhërrëfyes dhe mëshirë nga Perëndia? Këta (që mbështetën në këto dokumente) besojnë Kur’anin. E, cilido nga grupet që e mohojnë atë, vend i premtuar i tij është zjarri. Andaj, ti kurrsesi, mos dysho në të; se, ai padyshim, është e vërteta prej Zotit tënd, por shumica e njerëzve nuk besojnë.
(18) Kush është zullumqarë më i madh se ai që trillon gënjeshtra për Perëndinë? Këta do të sillen para Zotit të tyre, e dëshmitarët do të thonë: “Këta janë ata që kanë gënjyer për Zotin e tyre. E, mallkimi i Perëndisë qoftë mbi zullumqarët,
(19) të cilët pengojnë (të tjerët) nga rruga e Perëndisë dhe përpiqen ta shtrembërojnë atë, e ata nuk besojnë (as) në botën tjetër”.