(89) O populli im, kundërshtimi ndaj meje le të mos u shpiej kurrsesi (në mëkat), e që t’ju ndodhë ajo që i ndodhi popullit të Nuhut, ose popullit të Hudit apo popullit të Salihut; por edhe populli i Lutit nuk është larg prej jush.
(90) Dhe kërkoni falje nga Zoti juaj e kthehuni tek Ai. Me të vërtetë, Zoti im është mëshirues dhe i dashur”.
(91) Ata thanë: “O Shuajb, na nuk kuptojmë shumë nga ato që na thua ti dhe na të shohim të dobët në mesin tonë. E, sikur të mos ishte farefisi yt, na të kishim mbytur me gurë, ti nuk je i respektuar te ne”.
(92) (Shuajbi) tha: “O populli im, a mos vallë farefisi im për ju është më i respektuar se Perëndia, të cilin e keni lënë krejtësisht anash. Me të vërtetë, Zoti im, kaplon atë që punoni ju.
(93) O populli im, bëni sa të mundeni, por edhe unë do të bëjë. Ju, me siguri do ta dini se kë do ta gjejë dënimi që do ta poshtërojë dhe kush është gënjeshtar. E, pritni ju (fundin), se edhe unë do të pres me ju”.
(94) E, kur erdhi urdhëri Ynë (dënimi), e shpëtuam Shuajbin bashkë me besimtarët e tij – me mëshirën Tonë, kurse mohuesit i kaploi zë i tmerrshëm dhe ata në tokën e tyre u gëdhinë të vdekur – të palëvizshëm,
(95) thuajse, nuk kanë ekzistuar kurrë në të. Le të jetë larg (nga mëshira e Zotit) Medjeni, ashtu siç ka qenë larg edhe Themudi!
(96) Na e kemi dërguar Musain me argumentet Tona dhe me dokumentet e qarta
(97) te Faraoni dhe parisë së tij, por ata shkuan pas urdhërit të Faraonit. E, urdhëri i Faraonit nuk ishte i drejtë.