(64) (Baba) u tha: “A mos vallë t’jua besoj juve, ashtu siç ua pata besuar më parë vëllain e tij? Perëndia është ruajtësi më i mirë dhe Ai është më i mëshirshmi i mëshiruesve!”
(65) E, kur i çelën barrët e tyre, e gjetën pagën (të hollat) e tyre, që ua kishin kthyer, (atëherë) thanë: “O baba i ynë! Ç’duam më tepër? Këto, janë gjërat (të hollat) tona; na janë kthyer. Na, do ta furnizojmë familjen tonë dhe do ta ruajmë vëllain tonë, dhe do ta shtojmë një barrë deveje (ushqim), e kjo është barrë e lehtë”.
(66) (Baba) tha: “Unë kurrsesi nuk do ta dërgoj me ju, përderisa të mos betoheni ju në Perëndinë, se do të ma ktheni ate, përpos nëse ju rrezikon ndonjë e keqe e madhe (të gjithëve)”. E kur ata dhanë betimin e vet, (baba) u tha: “Perëndia është mbikëqyrës për atë që flasim ne”.
(67) E ai tha: “O djemtë e mi, mos hyni në të njëjtën derë, por në dyer të ndryshme. Unë asgjë nuk mund të largoj prej jush (çka u ka caktuar) Perëndia! Se pushteti i përket vetëm Perëndisë. Tek ai mbështetem uën dhe tek Ai le të mbështeten ata që dëshirojnë të jenë të mbështetur (te Perëndia)!”
(68) Pasi që hynë (në qytet), ashtu siç i urdhëroi babai i tyre, kjo nuk u ndihmoi asgjë atyre para caktimit të Perëndisë, përpos dëshirës së Jakubit, të cilën ia plotësoi (Zoti). Ai (Jakubi), në të vërtetë, ka qenë dijetar i madh, sepse Ne e kemi mësuar, por shumica e njerëzve nuk e di (këtë).
(69) Dhe kur dolën para Jusufit, ky e afroi vëllaun e vet (Bunjamin) dhe i tha: “Unë me të vërtetë, jam vëllai yt dhe mos u hidhëro për atë që vepruan vëllezërit tanë!”