(14) Dhe prej atyre që thanë: “Jemi të krishterë”, kemi marrë premtimin e tyre, por edhe këta kanë harruar një pjesë nga ato që janë këshilluar, prandaj ua shtiem armiqësinë dhe urrejtjen në mes tyre deri në Ditën e Kijametit. Se, Perëndia, me të vërtetë, di t’i lajmërojë ata për ato që kanë punuar.
(15) O ithtarët e Librit! Ju erdhi juve Pejgamberi Ynë i cili u shpjegon gjëra nga to që i keni fshehur ju prej Librit (Teuratit dhe Ungjillit) dhe ju falë shumë (kalon në heshtje). E, prej Perëndisë ju erdh juve dritë (Pejgamberi) dhe Libri i qartë (Kur’ani),
(16) me të cilin Perëndia i drejton ata që ndjekin kënaqësinë e Tij, në rrugën e shpëtimit, i nxjerr nga errësira në dritë me lejen e Vet dhe i shpie në rrugën e drejtë.
(17) Me të vërtetë, kanë mohuar (të Vërtetën) ata që thonë: “Me siguri perëndi është Mesihu, i biri i Merjemës!” Thuaj: “Kush mund të pengojë gjë në punët e Perëndisë, nëse Ai don ta zhdukë Mesihun, të birin e Merjemës dhe nënën e tij dhe gjithë çka gjendet në Tokë?” E pronë e Perëndisë janë: qiejt, Toka dhe çdo gjë që gjendet në mes tyre. Ai krijon çka të dojë, dhe Perëndia është i Plotëfuqishëm për çdo gjë.