(83) Kur dëgjuan ata për ate (Kur’anin) që i është zbritur Pejgamberit, i sheh ti ata, prej se kuptuan të Vërtetën, se si ju rrjedhin lotët nga sytë. Ata thanë: “O Zoti ynë! Na besojmë, andaj na regjistro në mesin e atyre që dëshmojnë (profetninë e Muhammedit)”.
(84) E përse të mos besojmë Perëndinë dhe të Vërtetën (Kur’anin), që na është dërguar, kur shpresojmë se edhe neve Zoti ynë do të na shpie me njerëz të mirë.
(85) E Perëndia do t’i shpërblejë ata për fjalët që thanë (që besuan) me kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku ata do të qëndrojnë përgjithmonë. E ky është shpërblimi i bamirësve.
(86) E ata që mohuan dhe i konsideruan të rrejshme argumentet tona, ata do të jenë banorë të ferrit (skëterrës).
(87) O besimtarë! Mos ia ndaloni vetes gjërat e bukura, të cilat Perëndia ua ka lejuar dhe mos kaloni kufirin. Se, Perëndia, nuk i don ata që e kapërcejnë kufirin (e urdhërave të Perëndisë).
(88) Hani nga ato që u ka furnizuar Perëndia – të lëjuara dhe të mira! Druajuni Perëndisë, të cilit ju i keni besuar!
(89) Perëndia nuk do t’ju ndëshkojë për betimin që e bëni pa qëllim, por do t’ju ndëshkojë për betimin e bërë me qëllim. Larja e mëkatit për thyerjen e betimit është: ushqyerja e dhjetë të varfërve me mesataren e ushqimit, të familjes suaj, ose t’i vishni ata, ose të lironi një skllav. Ai që nuk gjen mundësi për këto, le të agjërojë tri ditë. Ky është dënimi i thyerjes së betimeve tuaja – kur betoheni. Mbani betimet tuaja! Kështu ua shpjegon Perëndia argumentet e Veta, që të jeni falënderues.