(77) Thuaj: “O ithtarët e Librit! Mos kaloni kufirin në besimin tuaj, në kundërshtimin me të vërtetën dhe mos ndiqni pasionin e një populli, që qysh më parë patën humbur dhe kanë nxjerrë prej udhës së drejtë shumë njerëz dhe vetë janë shmangur nga udha e drejtë”.
(78) U mallkuan ata nga bijtë e Israelit që ishin mohues, me gjuhën e Dautit dhe të Isait – të birit të Merjemës, për shkak se ishin të padëgjueshëm dhe ngase kishin kaluar kufirin:
(79) njëri-tjetrin nuk e pengonin nga veprat e këqija që punonin. E, sa të shëmtuara ishin veprat që punonin ata!
(80) Ti i sheh shumicën nga ata që miqësohen me mohuesit. Me të vërtetë, e shëmtuar ësthë ajo që i përgatisin ata vetes: që Perëndia të pezmatohet në ta dhe t’i dënojë përherë.
(81) Sikur t’i besonin ata Perëndisë, Pejgamberit dhe asaj që i është shpallur atij, nuk do t’i merrnim ata (mohuesit) për miq. Por, shumica prej tyre janë mëkatarë.
(82) Ti gjithsesi do të vëresh, se armiqët më të ashpër për besimtarët (muslimanët) janë Hebrenjt dhe paganët. E, gjithsesi do të vëresh, se miqët më të afërt të besimtarëve janë ata që thonë: “Na jemi të krishterë”. Kjo rrjedh, nga se ndër ta ka dijetarë dhe murgë dhe ata me të vërtetë nuk madhështohen (në pranimin e së vërtetës).