(158) Vdiqët apo u mbytët, me siguri do të tuboheni te Perëndia.
(159) Në saje të mëshirës së Perëndisë, u solle butësisht me ta (o Muhammed!) – e sikur të ishe i ashpër dhe vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje. Falju gabimin atyre dhe kërko falje te Perëndia për ta, e bisedo me ta për punë të jetesës. Kur të vendosish për diçka, mbështetu te Perëndia. Se Perëndia me të vërtetë, i don ata që mbështeten tek Ai.
(160) Nëse ju ndihmon Perëndia, s’ka kush t’ju mposht juve, e nëse ju turpëron juve, kush është ai që do t’ju ndihmojë përveç Tij (pas atij turpërimi)? Pra, besimtarët vetëm te Perëndia le të mbështeten.
(161) Është e pamundur për ndonjë Pejgamber, që të bëjë farë mashtrimi (të marrë fshehurazi nga pasuria e luftës), e kushdo që të bëjë mashtrim do të vijë (i ngarkuar me këtë mëkat) në Ditën e Kijametit, e pastaj do t’i jepet çdokujt ajo që ka punuar dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.
(162) Vallë! A mund të krahasohet ai që gëzon kënaqësinë e Perëndisë me atë që ka merituar pezmin e Perëndisë. Strehimi i tij (mëkatarit) është skëterra. E, sa strehim i keq është ai.
(163) Te Perëndia ata kanë grada të ndryshme, se Perëndia i sheh të gjitha veprat që punojnë ata.
(164) Perëndia i dhuroi besimtarët me dhuratë të madhe, meqë nga mesi i tyre u dërgoi Profet i cili u lexon atyre ajetet e Tij, i pastron ata nga mëkatet dhe ua mëson Kur’anin e diturinë e hollë. Ata, më parë, me të vërtetë, ishin në rrugë krejtësisht të gabuar.
(165) Kur ju goditi juve fatkeqësia (në Uhud), e ju më parë i patët goditur armiqët tuaj dyfish (në Bedër), thatë ju: “Prej nga na erdhi neve kjo?!” Thuaj (o Muhammed!): “Kjo është prej vetë juve”. Perëndia, me të vërtetë, është i Plotëfuqishëm.