(166) Ajo që ju gjeti (goditi) juve, atë ditë kur u ndeshën dy ushtritë, ajo ishte me vullnetin e Perëndisë – për të zbuluar kush janë besimtarët e vërtetë,
(167) dhe për t’i zbuluar hipokritët, e kur iu tha atyre: “Ejani të luftoni në rrugën e Perëndisë, ose të paktën mbrohuni!” – ata u përgjigjen: “Sikur ta dinim që do të bëhet luftë e vërtetë, na, me siguri, do t’ju pasonim”. Atë ditë ata ishin më afër mohimit sesa besimit, sepse me gojën e tyre flisnin atë, që nuk e kishin në zemrat e tyre, - se, Perëndia i di mirë ato që i fshehin ata.
(168) Atyre që nuk luftuan e u thanë vëllezërve të vet: “Sikur të na dëgjonit neve nuk do të mbyteshit”, thuaju: “Prapsojeni vdekjen nga vetja, nëse flisni të vërtetën!”
(169) Kurrsesi mos i konsideroni të vdekur ata, që janë vrarë në rrugën e Perëndisë. Jo, (ata) janë të gjallë dhe të ushqyer (shpirtërisht) te Zoti.
(170) Janë të gëzuar për atë që ua ka dhënë Perëndia nga dhuntitë e Tij dhe sihariqohen me ata të cilët ende nuk u janë bashkuar (shoqëruar) dhe që kanë ngelur pas tyre, meqë nuk do të ketë kurrfarë frike dhe të cilët për asgjë nuk do të pikëllohen;
(171) sihariqohen ata me dhuntitë dhe begatitë e Perëndisë, sepse, Perëndia nuk ua humbë shpërblimin besimtarëve.
(172) Ata që pas disfatës që pësuan (në Uhud), iu përgjigjën thirrjes së Perëndisë dhe të Pejgamberit, dhe për ta, të cilët kanë bërë mirësi dhe që iu kanë druajtur (Perëndisë), ka shpërblim të madh;
(173) atyre, të cilëve u thanë njerëzit: “Armiku është përgatitur kundër jush, frikohuni!” Kjo përkundrazi ua shtoi atyre besimin, e thanë: “Neve na mjafton Perëndia, dhe Ai është mbrojtës i mrekullueshëm!”