(122) kur dy grupe nga ju menduan të kthehen prej frikës, Perëndia është ndihmëtar i tyre (e nuk ka nevojë të kthehen). Andaj besimtarët le të mbështeten vetëm te Perëndia!
(123) Perëndia u ka ndihmuar në Bedër, duke qenë ju të pafuqishëm – andaj druajuni Perëndisë, për të qenë falenderues, -
(124) kujtoje (o Muhammed!) atë kohë kur u thoshe besimtarëvet: “A nuk ju mjafton ndihma e Zotit tuaj me tremijë engjëj të dërguar?”
(125) Po! Po! (Ju mjaftojnë). Nëse ata ju sulmojnë, bëhuni të durueshëm dhe të dëgjueshëm dhe Zoti juaj menjëherë do t’ju dërgojë në ndihmë pesë mijë engjëj, të shënuar me shenj të dalluar.
(126) Perëndia e bëri këtë për t’ju sihariquar juve dhe për t’jua qetësuar zemrat. Se fitorja (ndihma) është vetëm nga Perëndia i Plotëfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm,
(127) që një turmë mohuesish t’i shkatërrojë apo t’i turpërojë e të kthehen ata të humbur.
(128) Ty (o Muhammed!) nuk të përket asgjë (lidhur me këtë çështje), se a do t’ua pranojë Ai (Perëndia) pendimin e atyre apo do t’i dënojë, se ata me të vërtetë janë zullumqarë.
(129) Të Perëndisë janë gjithë ato çka gjenden në qiej dhe në Tokë! Ai falë kend të doje dhe e mundon kend të dojë. Se, Perëndia është falës e mëshirues.
(130) O besimtarë! – mos pranoni kamatë të shumëfishtë mbi kamatë! Kinie frikë Perëndinë, për të shpëtuar; -
(131) druajuni zjarrit, i cili është përgatitur për mohuesit!
(132) Përuluni Perëndisë dhe Profetit, për të shpresuar mëshirën.