(62) Padyshim, të gjitha këto janë lajme të vërteta. S’ka zot tjetër përveç Perëndisë. Se Perëndia është i Gjithëpushtetshëm dhe i Gjithëdijshëm.
(63) Në qoftë se ata ia kthejnë shpinën të drejtës, Perëndia i njeh mirë ngatërrestarët.
(64) Thuaj: “O ithtarët e Librit, kujtonie tregimin, që është për ne dhe për ju: “T’i shërbejmë vetëm Perëndisë që të mos i bëjmë shoq asgjë Atij, që njëri-tjetrin mos ta konsiderojmë për zot, në vend të Perëndisë!” E nëse ata kthehen nga kjo e vërtetë, thuaju atyre: “Bëhuni dëshmitarë se ne jemi muslimanë!”
(65) O ithtarët e Librit! Pse polemizoni për Ibrahimin, kur Teurati dhe Inxhilli janë dërguar pas tij? A nuk po mbusheni mend?
(66) Ju po polemizoni për atë, për të cilin dini diçka; por, pse polemizoni për atë, për të cilën s’dini asgjë? Perëndia e di hollësisht, e ju nuk dini asgjë për këtë çështje.
(67) Ibrahimi nuk ka qenë as hebrej as i krishterë, por ka qenë besimtarë i vërtetë. E, nuk ka qenë as nga idhujtarët.
(68) S’ka dyshim, se, më të afërmit e Ibrahimit, janë ata njerëz, që kanë pasuar atë dhe ky Pejgamber (Muhammedi) me besimtarët (e tij). Perëndia është mbrojtës i besimtarëvet.
(69) Një grup ithtarësh të Librit dëshirojnë që ju të devijoni (nga rruga e drejtë). Por, ata, e devijojnë vet – veten, e këtë nuk e vërejnë.
(70) O ithtarë të Librit! Përse i mohoni versetet e Perëndisë, e ju jeni dëshmitarë (që ato janë versetet e Perëndisë)?