(84) Thuaj (o Muhammed!): “Na besojmë Perëndinë dhe atë që na është shpallur neve, dhe çka i është shpallur Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit, pasardhësve të tyre dhe në atë që u është dhënë Musait, Isait dhe pejgamberëve nga Zoti i tyre; - na nuk bëjmë kurrfarë dallimi në mes tyre. Na vetëm Atij (Perëndisë) i përulemi (na jemi muslimanë)”.
(85) E ai që kërkon tjetër fe përveç islamizmit, nuk do t’i pranohet, dhe ai në botën tjetër do të jetë i humbur.
(86) Perëndia nuk i udhëzon në rrugë të drejtë njerëzit që janë bërë mohues, pasi që patën besuar dhe dëshmuan se Pejgamberi është i vërtetë, e ju prezentuan atyre edhe dokumentet e qarta. Populli që është këmbëngulës në të keqe, Perëndia nuk e udhëzon në rrugë të drejtë.
(87) Mallkimi i Perëndisë, i engjëjve dhe i mbarë njerëzve, është shpërblimi i tyre.
(88) Ata përherë do të jenë nën peshën e (dënimit e të mallkimit), vuajtjet nuk do t’u lehtësohen, e as nuk do t’u jepet afat (pushim);
(89) përveç atyre që pas kësaj pendohen dhe përmirësohen, se Perëndia është mëshirues i madh dhe falë.
(90) Ata që pasi patën besuar, mohuan, - e pastj edhe shtuan mohimin e tyre, pendimi kurrsesi nuk do t’u pranohet; e ata, me të vërtetë, kanë humbur rrugën.
(91) Ata që janë mohues dhe vdesin mohues, me të vërtetë nuk do t’u pranohet as shpërblesa e tyre, sikurse ajo të ishte sa e tërë toka e mbuluar me ar. Ata i pret dënim i rëndë dhe për ta nuk ka ndihmëtarë.