آل عمران Aal-Imran
(1) Elif Lám Mim.
(2) Perëndia është (një), s’ka zot tjetër përveç Tij, (i Cili) jeton përgjithmonë dhe zotëron (mbi të gjitha krijesat).
(3) Ai ta ka shpallur Librin ty, të vërtetën e saktë duke vërtetuar ato të mëparshmet. Ai e ka zbritur Teuratin dhe Ungjillin. –
(4) më parë udhërrëfyes për njerëzit, dhe ka zbritur Furkanin, që dallon të vërtetën nga e pavërteta. Ata që nuk besojnë versetet e Perëndisë, i pret dënimi i ashpër, se Perëndia është dënues i Plotëfuqishëm.
(5) Pa dyshim, Perëndisë nuk i mbetet asgjë sekrete, as në Tokë as në qiell!
(6) Ai ju formon juve në mitër ashtu si don Ai; s’ka zot tjetër përveç Tij, të Plotëfuqishëm dhe të Gjithëdijshëm!
(7) Ai ta ka shpallur Librin ty (Kur’anin). Disa nga versetet janë të qarta, me kuptim konkret e të hapët sheshazi, ato janë themelet e Librit, e për disa të tjera nevojitet komepntimi (pasi që me pak fjalë shprehen shumë kuptime të thella). Ata, që janë zemërkëqinj – priren kah shpjegimi i atyre që janë më pak të qarta, duke krijuar pështjellim dhe duke komentuar sipas dëshirës së vet. Por, komentimin e tyre e di vetëm Perëndia. E, ata që janë thelluar në dijeni thonë: “Na i besojmë (Kur’anit). Të gjitha këto janë nga Zoti ynë!” Këtë e kuptojnë vetëm mendarët.
(8) Zoti ynë! Mos na i shmang zemrat tona, pasi që na i ke udhëzuar në rrugën e drejtë, dhe epna nga mëshira Juaj; Ti, me të vërtetë je Ai që dhuron shumë!
(9) Zoti ynë! Ti je tubues i njerëzve në ditën që nuk ka farë dyshimi. Me të vërtetë, Perëndia e realizon premtimin.