(38) Atëherë Zekerijaja iu lut Zotit të vet e tha: “Zoti im! Dhuromë mua nga ana Jote pasardhës të mirë! Se Ti, me të vërtetë, je dëgjues i lutjes!”
(39) E thirrën atë engjëjt, duke u lutur ai në këmbë, në xhami (e i thanë): “Perëndia po të sihariqon ty me Jahjanë, (i cili do të jetë) vërtetues i fjalës së Perëndisë, (dhe do të bëhet) udhëheqës (i popullit), ruajtës i vetvetes dhe (do të jetë) nga pejgamberët, pasardhës i atyre të mirëve”.
(40) (Zekerijaja) tha: “Zoti im! Qysh do të ketë djal për mua, kur mua më ka kapluar pleqëria, e gruaja ime është sterile (shterpë)? (Ai) i tha: “Kështu!” Perëndia punon çka të dojë.
(41) (Zekerijaja) tha: “O Zot! (bënma një shenj!” (Zoti) i tha: “Shenj për ty është se tri ditë nuk do të (mund të) flasish me njerëzit, veçse me gjeste. Por, Zotin tënd përmende shumë dhe adhuroje Atë në mbrëmje dhe në mëngjes”.
(42) (kujtoje) kur engjëjt i thanë (Merjemes): “O Merjeme! Perëndia të ka zgjedhë ty, të ka pastruar ty, dhe të ka privilegjuar ty mbi të gjitha femrat e botës.
(43) O Merjeme! Bindju Zotit tënd! Bëni sexhde dhe ruqu bashkë me ata që përulen!”
(44) Këto janë lajme të panjohura (sekrete). Na po t’i shpallim ty (o Muhammed). Ti nuk ishe i pranishëm kur ata hedhën short, se kush nga ata do të marrë Merjemën në mbrojtje. Dhe ti nuk ishe i pranishëm kur ata grindeshin.
(45) (Kujtoje) atë kohë kur engjëjt i thanë: “O Merjeme! Perëndia të sihariqon ty me një djalë: emrin do ta ketë Mesih – Isa i biri i Merjemit, do të bëhet i famshëm në këtë botë dhe në tjetrën dhe do të jetë njëri nga të afërmit e Perëndisë.