(107) (Nga hipokritët janë) edhe ata që ndërtuan një xhami për t’i shkaktuar dëm, për ta forcuar mohimin, dhe për të krijuar përçarje në mesin e besimtarëve, duke iu shërbyer ajo si pusi, atyre që qysh më parë luftonin kundër Perëndisë dhe Pejgamberit të Tij. Dhe ata betoheshin: “Na dëshirojmë vetëm vepër të mirë”. E, Perëndia, dëshmon se ata, me të vërtetë, janë gënjeshtarë.
(108) Ti në atë kurrë mos bënë namaz. E, xhamia – themelet e së cilës iu vunë që në ditën e parë, në të mirën e Perëndisë, me të vërtetë, meriton që të bësh namaz në te. Në te, janë njerëzit, të cilët e duan pastërtinë. E, Perëndia, i do ata që pastrohen shumë.
(109) Cili është më i mirë, - ai që themelet e godinës së vet i vënë në rrugën e Perëndisë dhe kënaqësinë e Tij, apo ai, që, themelet e godinës së tij i vënë në bregun e gërryer, e rrokulliset me të në zjarrin e xhehennemit? – E, perëndia, nuk don ta udhëzojë në rrugë të drejtë popullin zullumqarë.
(110) Godinën që ata e ndërtuan është vazhdimisht një dyshim në zemrat e tyre, përderisa të mos u copëtohen zemrat e tyre. Perëndia është i Plotëdijshëm dhe i Gjithëdijshëm.
(111) Perëndia, me të vërtetë, ka blerë nga besimtarët e vet trupin dhe pasurinë e tyre, për t’iu dhuruar xhennetin atyre. Ata luftojnë në rrugën e Perëndisë, vrasin dhe vriten. (Ky është) premtimi i tij i vërtetë në Teurat, Inxhil dhe Kur’an. E kush është më i plotë (më konsekuen) se Perëndia në premtim? Andaj, gëzojuni kësaj shitjeje të juaj, që e keni kontraktuar me Te, dhe kjo është fitore e madhe.