(87) Kënaqen të jenë me ata që nuk shkojnë në luftë, zemrat e tyre janë të vulosura e ata nuk kuptojnë!
(88) Por, Pejgamberi dhe ata që besojnë në të, luftuan me pasurinë e tyre dhe trupin e tyre. Për ta ka çdo të mirë dhe ata janë të shpëtuar.
(89) Perëndia u ka përgatitur këtyre kopshtet e xhennetit, nëpër të cilët rrjedhin lumenjtë, e në të cilët do të banojnë përgjithmonë. Kjo është fitore e madhe!
(90) Erdhën disa beduinë duke u arsyetuar për të kërkuar leje që të mos shkojnë (në luftë). Dhe munguan ata që e gënjyen Perëndinë dhe Pejgamberin e Tij. E, prej atyre që mohuan, me të vërtetë, do t’i godet dënim i dhëmbshëm.
(91) Nuk është mëkat mos të shkojnë në ushtri – të dobëtit (fizikisht), as të sëmurët, as ata që nuk mund të sigurojnë shpenzimet, nëse janë të sinqertë ndaj Perëndisë dhe Pejgamberit të Tij. S’ka arsye t’u bëhet asnjë vërejtje bamirësve. Se, Perëndia është falës dhe mëshirues,
(92) (e nuk ka mëkat) as për ata, të cilët vijnë te ti për të kërkuar kafshë shalimi, e ti u thua: “Unë nuk mund t’ju sigurojë kafshë shalimi”; andaj ngase nuk mundën të gjejnë shpenzime (për luftë), ata kthehen e sytë e tyre rrjedhin lotë nga dëshpërimi që nuk mundën të gjejnë mjete shpenzimi,
(93) e ka arsye t’u bëhet vërejtje vetëm atyre, të cilët kërkojnë leje nga ti, duke qenë të pasur. Ata, kënaqen të shoqërohen me ata që nuk shkojnë në luftë. Perëndia, ua ka vulosur zemrat e tyre, por ata nuk dijnë.