(55) Le të mos ngazëllejë ty (o Muhammed!) pasuria e tyre, e as fëmijët e tyre! Se, Perëndia dëshiron t’i ndëshkojë me to në këtë jetë dhe t’ju dalë shpirti atyre duke qenë mohues.
(56) Ata u betohen në Perëndinë se janë në fenë tuaj, por ata nuk janë me ju (prej muslimanëve), por janë popull frigacak.
(57) Sikur ata të gjenin ndonjë strehim, shpellë apo vend mbrojtjeje, do të niseshin atje me nxitim.
(58) Ke edhe të tillë që të qortojnë për shkak të ndarjes së lëmoshës. Nëse u jepet ajo – janë të kënaqur, e nëse nuk u jepet, përnjëherësh zemërohen.
(59) Sikur të kënaqeshin ata, me atë që u ka dhënë Perëndia dhe Pejgamberi i Tij (do t’ishte më mirë për ta), dhe të thonin: “Na mjafton neve Perëndia; Perëndia do të na japë nga mirësitë e Veta, dhe Pejgamberi i Tij. Na, me të vërtetë, vetëm Perëndinë e dëshirojmë”.
(60) Lëmosha u takon vetëm të varfërve, të gjorëve dhe atyre që e mbledhin atë (rrogë e nëpunësit që punon në atë lëmë), dhe atyre që duhet përfituar zemrat (në islamizëm); dhe për lirim nga skllavëria, dhe të ngarkuarve në borxhe, dhe për rrugën e Perëndisë, dhe udhëtarit të rastit. Këto janë dispozitat, e Perëndisë. Se, me të vërtetë, Perëndia është i Plotëdijshëm dhe i Gjithëdijshëm.
(61) Ka asosh që e shqetësojnë Pejgamberin dhe thonë: “Ai është vesh (dëgjon çdo gjë që i thuhet)”. Thuaj (o Muhammed): “Ai dëgjon atë që është e mirë për ju, beson në Perëndinë dhe u beson besimtarëve. Dhe ai është mëshirë për ata që besojnë”. E, ata që e shqetësojnë Profetin e Perëndisë, i pret ndëshkim i dhembshëm.