(32) Ata dëshirojnë ta fikin dritën e Perëndisë me gojën e tyre, kurse Perëndia don vetëm ta plotësojë dritën e vet, e madje, edhe sikur ta urrejnë mohuesit.
(33) Ai është që ka dërguar Pejgamberin e Tij me udhërrëfim (Kur’an) dhe fenë e vërtetë, për ta lartësuar mbi të gjitha fetë, e madje, edhe sikur ta urrejnë idhujtarët.
(34) O besimtarë! Me të vërtetë, shumë priftërinj dhe murgë hanë pasurinë e popullit – pa të drejtë dhe zmbrapin njerëzit nga rruga e Perëndisë. E, ata që e grumbullojnë arin dhe argjendin dhe nuk e shpenzojnë në rrugën e Perëndisë (si janë urdhëruar), sihariqoji me dënim të dhëmbshëm,
(35) (që do t’i goditë), në Ditën kur do të digjen në zjarrin e xhehennemit, e me të do të damkoset balli i tyre, anët (ijet) e tyre dhe shpina e tyre. (U thuhet atyre): “Këtë e keni mbledhur për vete; andaj, shijoni atë që e grumbulluat!”
(36) Me të vërtetë, numri i muajve te Perëndia është dymbëdhjetë, sipas Librit të Perëndisë, prej ditës që i ka krijuar qiejtë dhe Tokën. Katër prej tyre janë të shenjtë; ky është besim i drejtë. E, në këta, mos i bëni vetes zullum! Por luftoni të gjithë kundër idhujtarëve, ashtu si luftojnë ata të gjithë kundër jush. Të dini, se Perëndia është me ata që ruhen nga mëkatet.