(147) Nëse ata të përgënjeshtrojnë ty, thuaju: “Zoti juaj është pronar i mëshirës së gjerë, e ndëshkimi i Tij nuk pengohet nga populli mëkatarë”.
(148) Idhujtarët do të thonë: “Sikur të donte Perëndia, nuk do t’i bënim shok Atij as ne as baballarët tanë, dhe asgjë të ndaluar nuk do të punonim”. Kështu mohonin edhe ata para tyre, derisa e shijuan dënimin tonë. Thuaj: “A keni ju ndonjë argument të na paraqitni? Ju mbështeteni vetëm në hamendje dhe jeni vetëm gënjeshtarë”.
(149) Thuaj: “Perëndia ka argument të qartë dhe po të donte Ai, të gjithëve do t’ju udhëzonte (me forcë) në rrugë të drejtë!”
(150) Thuaj: “Sillni dëshmitarët tuaj të cilët dëshmojnë se Perëndia e ka ndaluar këtë!” E nëse dëshmojnë (duke gënjyer), ti mos dëshmo me ta. Mos i ndiq dëshirat e atyre, që argumentet tona i konsiderojnë gënjeshtra dhe të cilët nuk besojnë në Ditën e mbramë! E, ata i bëjnë krahasim dike tjetër Zotit të tyre.
(151) Thuaj: “Ejani t’ju lexoj ato që ju ka ndaluar Perëndia: Atij mos i bëni shok; bëju mirë prindërve; mos vritni fëmijët tuaj për shkak të varfërisë, Na ju ushqejmë ju dhe ata. Mos ju çasni të këqijave, qofshin ato të hapëta apo të fshehta. Mos e vritni personin, vrasjen e të cilit e ka ndaluar Perëndia, përveç kur e kërkon drejtësia (gjyqi). Këto ju porosit Ai, që ta fisnikëroni mendjen.