(102) (Jehuditë e braktisën Teuratin) dhe shkonin pas shpifjeve që bënin djajt kundër mbretërisë së Sulejmanit. E Sulejmani nuk ishte mohues, por djajt ishin mohues, që u mësonin njerëzve magjinë dhe dijeninë që u ishte dërguar dy ëngjujve në Babiloni – Harutit e Marutit. Këta ëngjuj nuk i mësonin ndokujt magji pa i thënë: “Na vetëm provojmë, dhe ti mos u bën mohues!” Dhe njerëzit mësuan nga këta dy se si t’i ndajnë bashkëshortët. Por magjistarët – pa lejen e Zotit nuk mund t’i bënin dëm askujt. Njerëzit megjithatë mësonin ato gjëra që i dëmtojnë e nuk u bëjnë dobi; dhe me të vërtetë e dinin se ai që e ka përvetësuar këtë mjeshtri nuk do të ketë kurrfarë të mire në jetën tjetër. E sa e keqe është ajo shit-blerje me magji. Oh! Sikur ta dinin ata?!
(103) Dhe sikur ata (Hebrenjt) të besonin dhe të druanin, shpërblimi i Perëndisë do të ishte më i mirë (të cilën e merituan prej besimit). Oh! Sikur ta dinin ata!
(104) O besimtarë! Mos thuani: “Ráiná”, por thuani: “Undhurná”, - shikona neve dhe dëgjoni! E, për mohuesit ka dënim pikëllues.
(105) Nuk duan mohuesit: ithtarët e Librit dhe paganët, që t’u zbresë juve ndonjë e mirë nga Zoti juaj. E, Perëndia, mëshirën e vet ia dhuron kujt të dojë; Perëndia është pronar i mirësisë së madhe.