(170) E kur atyre t’ju thuhet: “ndiqeni Shpalljen (Kur’anin) e Perëndisë!” – Ata përgjigjen: “Jo! Na ndjekim atë udhë në të cilën i kemi gjetur të parët tanë” – Vallë! Edhe atëherë kur të parët e tyre nuk kanë ditur asgjë dhe kur nuk kanë qenë në rrugën e drejtë?!
(171) Mohuesit i shëmbëllejnë çobanit (bariut) i cili i thërret shtazët, të cilat dëgjojnë vetëm thirrje e zë, por s’kuptojnë asgjë. (Ata janë) të shurdhër, memecë dhe verbët, e nuk mendojnë asgjë.
(172) O besimtarë! Hani nga ushqimet e këndshme që ua kemi dhuruar Na juve dhe nëse jeni adhurues të Perëndisë bëhuni falenderues të Tij!
(173) Me të vërtetë, Perëndia ua ka ndaluar ngrënien e kafshës së ngordhur, gjakun e derdhur, mishin e derrit dhe atë kafshë që nuk është therrur në emër të Zotit. Por ata që ngushtohen nga uria e madhe, sa për të zhdukur krizën e urisë nuk kanë mëkate t’i hanë, por nuk duhet kaluar kufirin e lejueshmërisë. Se Perëndia me të vërtetë është Përdëllimtar i madh dhe falë.
(174) Padyshim, ata që fshehin atë që ua ka shpallur Perëndia në Libër (Teurat) dhe i zëvendësojnë fjalët e Mia me diç tjetër të pavlerë (i shesin), ata nuk hanë tjetër gjë vetëm atë, që në barkun e tyre u sjell zjarrin. Në Ditën e Kijametit, Perëndia nuk do t’u flasë atyre dhe s’ka për t’i dlirë prej fajesh, dhe për ta ka dënim pikëllues.
(175) Ata (mohuesit) rrugën e drejtë e kanë ndërruar me të humburën dhe faljen e Zotit me mundim, dhe sa ë durueshëm që janë vetëm ata në zjarr!
(176) Kjo është për shkak se Perëndia ka zbritur Librin, të vërtetën e saktë, e ata që bëjnë polemikë rreth përmbajtjes së Librit janë në kundërshtim të madh me të drejtën.