(146) Atyre q ëu kemi dërguar Librin (Teuratin) e njohin (Muhammedin për pejgamber), ashtu si i njohin bijt e tyre, por disa prej tyre e fshehin të vërtetën, duke e ditur mirë.
(147) E vërteta është në anën e Zotit tënd, pra, kurrsesi, mos u bënë nga ata që dyshojnë.
(148) Çdo popull ka kiblën (drejtimin kah Vendi i Shenjtë); Pra, bëni gara në punë të mira. Kudo që të gjendeni, Perëndia do t’u tubojë të gjithëve; se Perëndia, me të vërtetë, është i Plotëfuqishëm.
(149) Nga cilido vend që të dalësh ktheje fytyrën tënde kah Faltorja e shenjtë. Kjo është e vërtetë, që vie nga Zoti yt; e Perëndia nuk është i pakujdesshëm ndaj veprave që punoni ju.
(150) Nga cilido vend që të shkosh, ti shko, e fytyrën ktheje kah Faltorja e Shenjtë. E kudo që të gjendeni, ktheni fytyrat tuaja kah ajo anë, që bota mos të ketë çka të thotë për ju përpos atyre që kanë kaluar kufirin e drejtësisë dhe dijenisë, - por atyre mos iu frikoni e frikohuni vetëm prej Meje! Këtë (ndërrim të kiblës) e kam bërë për t’ju plotësuar dhuntitë e Mia juve, dhe për t’ju shpie në udhë të drejtë.
(151) Sikundër që ua kam plotësuar dhuntinë Time, ashtu (dhunti) ju kam dërguar një Pejgamber, nga mesi juaj, i cili ju lexon versetet Tona, dhe ju pastron (nga të këqiat) e ju begaton me dijeni të holla, dhe që t’ju mësojë ato gjëra që nuk i keni ditur.
(152) Më kujtoni Mua (ashtu si ju ka mësuar Profeti Im), e Unë ju kujtoj ju (me dhuratë); falënderomëni Mua e mos i mohoni dhuntitë e Mia!
(153) O besimtarë! Kërkoni ndihmë prej Zotit duke duruar dhe duke u falur! Me të vërtetë Zoti është me durimtarët.