(238) Kryeni rregullisht namazin, sidomos atë të mesmin. Dhe bëni namazin për Perëndinë, duke iu lutur Atij.
(239) Nëse kini frikë, faluni duke qenë këmbësorë ose kalorës! E kur të jeni të sigurtë, atëherë kujtonie Perëndinë (faluni), ashtu si ju ka mësuar Ai – atë që nuk e keni ditur!
(240) Ndonjërit prej jush që i është afruar vdekja, e që lënë gratë pas – duhet t’u lërë atyre testament për furnizimin dhe strehimin e tyre njëvjeçar. E, nëse ato vetë e braktisin (shtëpinë), ju nuk jeni përgjegjës për atë që veprojnë ato, (e) që u është e lejueshme. Se Perëndia është i Plotfuqishëm dhe i Gjithdijshëm.
(241) Grave të lëshuara u takon kompensimi (sigurimi i shpenzimeve të jetesës) i caktuar (sipas mundësisë). Kjo është detyrë e besimtarëvet.
(242) Kështu Perëndia ua shpjegon dispozitat e Veta për të menduar ju.
(243) A nuk i pe ti (o Muhammed!) ata që nga frika e vdekjes – ikën nga qytetet e tyre, - e ishin me mijëra. E, Perëndia u tha atyre: “Vdisni!” – Pastaj, Ai i ngjalli ata se Perëndia është bëmirës i pakufishëm ndaj njerëzve, por shumica e tyre nuk e falenderojnë.
(244) Luftoni në rrugën e Perëndisë dhe dinie se Perëndia i dëgjon të gjitha dhe di çdo gjë.
(245) Kush është ai që i jep hua Perëndisë – hua të bukur, e që Ai ia kthen shpërblimin shumëfish? Perëndia ngushton dhe zgjeron, dhe tek Ai do të ktheheni.