(70) Ata (përsëri) thanë: “Lutju Zotit tënd, që të na shpjegoje çfarë është ajo, sepse, lopët po i gjasojnë (njëra-tjetrës) e ne, në dashtë Zoti, do të udhëzohemi në rrugën e drejtë (si jemi urdhëruar)”.
(71) Ai (Musai) tha: “Me të vërtetë Ai (Perëndia) thotë se ajo lopë nuk është e lodhur nga lavra, as nga ujitja e tokës; s’ka të metë dhe kurrfarë shenjë në të”. Ata thanë: “Tani na the të vërtetën”. E prenë lopën; por për një fije nuk dashtën ta bënin këtë.
(72) Dhe pasi vratë një njeri, dhe me këtë rast u grindët në mes veti – Zoti e nxori në shesh atë që e fshihnit ju.
(73) Na (Perëndia) kemi thënë: “Mëshoni me një copë të asaj (lopës) të vrarit!” Dhe kështu Perëndia do t’i ngjallë të vdekurit dhe do të ju tregojë argumentet e veta për të kuptuar ju.
(74) Por, pastaj (mbasi i patë këto argumente) zemrat tuaja u forcuan e u bënë si guri ose edhe më të forta, megjithëse ka gurë nga të cilët burojnë lumenj, e ka me të vërtetë, edhe shkembenjë që çahen e nga të cilët rrjedh uji e ka madje, gjithashtu që prej frikës së Perëndisë të rrëzohet. – E Perëndia nuk është i pakujdesshëm ndaj veprimeve tuaja.
(75) A shpresoni ju se për hir tuajin Hebrenjt do të bëhen besimtarë, kur disa prej tyre, i dëgjonin fjalët e Zotit, e pasi i kuptonin, me vetëdije i pështjellonin (ato fjalë).
(76) Kur të takohen me besimtarët ata thonë: “Na besojmë, e kur ngelin vetëm njëri me tjetrin – thonë: “A do t’u tregoni atyre, atë që ua ka shpallë Perëndia (në Tevrat), për ta përdorë atë si argument kundër jush te Zoti juaj? A nuk po mendoni ju?