(182) E ai që frikohet se porositësi (i testamentit) ka bërë pa qëllim gabim ose padrejtësi, e ndreq atë, ai – për këtë punë nuk ka mëkat. – Se me të vërtetë, Perëndia është falës dhe mëshirues.
(183) O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ka qenë urdhëruar atyre para juve, për t’iu shmangur mëkateve,
(184) (agjërimi) zgjat disa ditë. Ndonjëri prej jush që gjendet i sëmur ose gjendet në udhëtim e sipër, ai i agjëron aq ditë sa i ka prishur – në ditët e tjera. Dhe ata (njerëz) që kanë vështirësi për të agjëruar (si për shembull, plaku i mbetur), duhet të japë aq sa mund të ngopet një i varfër me ushqim gjatë ditës (për një ditë agjërimi – një ditë ushqimi). E kushdo që të bëjë ndojë të mirë më tepër, për të është më mirë. Por, agjërimi juaj është më i dobishëm, në qoftë se e dini (do ta agjëronit).
(185) Këto ditë janë, ditët e muajit të ramazanit, në të cilin muaj ka zbritur Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me argumente të dokumentuara për rrugën e drejtë dhe dallues i së mirës nga e keqja. Pra, kushdo që nga ju gjendet në këtë muaj – le të agjërojë, ndërsa ai që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë aq ditë sa nuk i ka agjëruar), - Perëndia ka bërë lehtësi për ju, e jo vështirësi e mundime, - për të plotësuar numrin e ditëve të agjërimit (në një kohë tjetër), dhe për këto (lehtësi) duhet të madhëroni Perëndinë, që u ka drejtuar në rrugë të drejtë e të bëheni falenderues ndaj Tij.
(186) Kur besimtarët e Mi të pyesin për Mua, (thuaju): Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai t’më lutet Mua. Prandaj le ta plotësojnë thirrjen Time (për agjërim e detyra tjera) dhe le të më besojnë Mua (mos të shmangen nga besimi), për të qenë në rrugën e drejtë.