(156) dhe caktona të mira neve në këtë botë dhe në tjetrën. Se, ne, me të vërtetë, te Ti kthehemi”. (Perëndia) tha: “Unë e godas me dënimin Tim kë dua, e mëshira Ime përfshinë çdo gjë; ua jap atyre që ruhen nga mëkatet dhe japin zeqatin dhe atyre që u besojnë argumenteve Tona”,
(157) ata që ndjekin rrugën e Pejgamberit, lajmëtarit të fesë, i cili nuk di shkrim lexim (Muhammedi), të cilin ata e gjejnë të shënuar në Teurat dhe Inxhil, i urdhëron ata të bëjnë vepra të mira dhe i ndalon nga të këqiat, ua lejon të mirat, e ua ndalon të këqiat dhe i liron nga barrët e rënda dhe vështirësitë që i kanë pasur. Prandaj, ata që do të besojnë ate (Muhammedin), që do ta përkrahin dhe ndihmojnë, e do të ndjekin dritën që i është shpallur atij – vetëm ata janë të lumtur.
(158) Thuaj: “O njerëz, unë jam Pejgamber i Perëndisë për të gjithë ju, i Atij që i përket pushteti mbi qiej dhe Tokë. Vetëm Ai është i vetmi Zot, jeta dhe vdekja janë vepra të Tij, - prandaj besoni në Perëndinë dhe në të Dërguarin e Tij, lajmëtarin e fesë, i cili nuk di shkrim-lexim, i cili beson në Perëndinë dhe fjalët e Tij; shkoni pas tij – për të qenë në rrugën e drejtë!”
(159) Në popullin e Musait ka disa njerëz që udhërrëfim e kanë të vërtetën dhe gjykojnë drejtë.