(12) (Perëndia) tha: “Çka të pengojë ty që nuk iu përule, kur të urdhërova?” (Iblisi) tha: “Unë jam më i mirë se ai. Mua më krijove nga zjarri, kurse atë e krijove nga balta”.
(13) (Perëndia) tha: “E atëherë, dil prej andaj (xhennetit)! Ti nuk ke të drejtë që të krenohesh në të; dil, me të vërtetë, ti je prej të urrejturve”.
(14) (Iblisi) tha: “Më jep afat deri në ditën kur ngjallen njerëzit!”
(15) (Perëndia) tha: “Ti je nga ata që u është dhënë afati”.
(16) (Iblisi) tha: “Betohem se për atë që me ke humbur, do t’ju vë pengesa atyre në rrugën Tënde të drejtë,
(17) e do t’ju çasem atyre edhe përpara edhe për mbrapa, edhe në të djathtë, edhe në të majtë, e Ti do të konstatosh se shumica prej tyre nuk janë falenderues!”
(18) (Perëndia) tha: “Dil prej andej (xhennetit) i qortuar dhe i poshtëruar. Pa dyshim, me ty dhe me të gjithë ata që shkojnë pas teje, do ta mbushi xhehennemin!”
(19) E ti o Adem! Bano ti dhe bashkëshortja jote në xhennet dhe hani ç’të dëshironi, por mos iu afroni kësaj peme se bëheni zullumqarë!”
(20) E, djalli iu përshpëriti, për t’ju zbuluar pjesët e turpshme të mbuluara të trupit të tyre dhe (djalli) tha: “Zoti juaj ju ka ndaluar (afrimin e këtij druri) vetëm për atë që të mos bëheni engjëj ose mos të mbeteni përherë (në xhennet)”.
(21) Dhe ai (djalli) iu betua atyre (duke thënë): “Unë jam për ju, me të vërtetë, këshilltar i sinqertë!”
(22) Dhe i mashtroi me dinakërinë e tij. Pasi që e shijuan (frutin) e drurit, iu zbuluan vendet e turpshme atyre dhe nisën të mbulohen me gjethet e xhennetit. E, ata i thirri Zoti i tyre: “A nuk ju kam ndaluar atë? (frutin e drurit); dhe, a nuk ju kam thënë: “Se, me të vërtetë, djalli është armiku juaj i hapët?”