(44) Dhe banorët e xhennetit u thonë banorëve të zjarrit: “Na e kemi gjetur të vërtetën, atë që na është premtuar nga Zoti ynë, e ju, a e keni gjetur të vërtetën, atë që u ka premtuar Zoti juaj?” Ata thonë: “Po!” e, atëherë, një lajmëtar në mes tyre thërret: “Me të vërtetë, mallkimi i Perëndisë u takon zullumqarëve”,
(45) të cilët i pengojnë të tjerët nga rruga e Perëndisë dhe kërkojnë ta shtrembërojnë, e nuk besojnë në jetën tjetër!”
(46) Në mes tyre është perdja (muri), e, në majë të tij, janë njerëzit, të cilët të gjithë i njohin sipas fizionomisë. Dhe ata i thërrasin banorët e xhennetit: “Kënaqësia qoftë mbi ju!” Ata (njerëzit nga muri, ende) s’kanë hyrë në xhennet, por atë e dëshirojnë.
(47) E kur t’ju kthehet shikimi kah banorët e zjarrit, thonë: “O Zoti ynë, mos na bënë (shoqëri) me zullumqarët!”
(48) Ata që gjenden në mur, u thërrasin disa njerëzve, të cilët i njihnin sipas fizionomisë duke ju thënë: “Nuk ju ndihmoi as grumbullimi i pasurisë suaj, as ajo që u sollët me mendjemadhësi (ndaj të Vërtetës).
(49) A janë këta, për të cilët ju u betuat se nuk do t’i arrijë mëshira e Perëndisë? (Atyre, të cilët janë nënçmuar, u thuhet): “Hyni në xhennet! Për ju s’ka frikë as pikëllim!”
(50) Banorët e zjarrit do t’u thonë banorëve të xhennetit: “Derdhni pak ujë në ne, ose diçka nga ajo që u ka dhuruar Perëndia!” – Ata thonë: “Me të vërtetë, Perëndia këto i ka ndaluar për mohuesit,
(51) të cilët e kanë marrë fenë lojë dhe argëtim, dhe të cilët, i ka mashtruar jeta e kësaj bote. Ne sot do t’i harrojmë ata, ashtu siç e kanë harruar ata takimin me këtë Ditë dhe për shkak se i kanë mohuar argumentet Tona.