(58) Toka e mirë i jep frutet me lejën e Zotit të saj, e ajo tokë që është e ligë jep vetëm me mund. Që kështu, Na, në mënyrë të ndryshme ua shpjegojmë dokumentet Tona popullit mirënjohës.
(59) Na me të vërtetë, ua kemi dërguar Nuhun popullit të tij, i cili u tha: “O populli im! Adhuronie Perëndinë, ju nuk keni zot tjetër përveç Tij! – Unë frikësohem për ju nga dënimi në Ditën e madhe!”
(60) Paria e popullit të tij thanë: “Na me të vërtetë, të shohim ty në humbje të madhe”.
(61) Ai tha: “O populli im! Unë nuk jam në kurrfarë humbje, por jam pejgamber nga ana e Zotit të gjithësisë;
(62) ju sjell urdhërat e Zotit tim dhe ju dëshiroj çdo të mirë, unë di nga Perëndia atë që nuk e dini ju.
(63) A po çuditeni që këshilla e Zotit tuaj, t’ju vijë nga një njeri i mesit tuaj, që t’ju tërheq vërejtjen, të bëheni besimtarë dhe për t’ju mëshiruar?
(64) E ata e konsideruan atë gënjeshtar, andaj e shpëtuam atë dhe ata që ishin me të në barkë. Ndërsa, i fundosëm ata të cilët i konsideruan gënjeshtra argumentet Tona. Ata kanë qenë popull i verbër (injorant).
(65) Ja dërguam (popullit) Adit, vëllaun e tyre – Hudin. Ai tha: “O populli im! Adhuronie Perëndinë, ju nuk keni zot tjetër përveç Tij. E, a nuk po i ruheni dënimit?”
(66) Paria e popullit të tij, të cilët nuk besonin thanë: “Na, me të vërtetë, të konsiderojmë ty mendjelehtë dhe ne mendojmë se je gënjeshtar”.
(67) Ai tha: “O populli im! Unë, me të vërtetë, nuk jam mendjelehtë, por jam profet i Zotit të gjithësisë”.