(23) Ata thanë: “O Zoti ynë! Na vetes i kemi bërë dëm; e nëse Ti nuk na falë dhe nuk na mëshiron, na do të jemi nga ata që janë të humbur”.
(24) (Perëndia) tha: “Zbritni! Ju, njëri-tjetrit jeni armik. Në Tokë do të banoni dhe do të jetoni deri në një kohë”.
(25) (Perëndia) tha: “Në të do të jetoni, në të do të vdisni dhe prej saj do të dilni (ringjalleni)”.
(26) O bijtë e Ademit, Na ju dërguam rrobet që t’jua mbulojnë vendet e turpshme, si edhe rrobet luksoze; por, rrobet e virtyteve janë më të mirat. – Këto janë disa argumente të Perëndisë për t’i kujtuar ju (mirësitë e Perëndisë).
(27) O bijtë e Ademit, le të mos u mashtrojë kurrsesi djalli, ashtu si i nxori prindërit tuaj nga xhenneti (meqë i mashtroi), duke u zhveshur rrobat për t’ju dukur vendet e turpshme të tyre. Ai (djalli) dhe ushtria e tij ju sheh, prej nga ju nuk i shihni ata. Na i kemi bërë djajtë ndihmës të atyre që nuk besojnë.
(28) E kur të punojnë vepër të shëmtuar, thonë: “Na i kemi gjetur prindërit tonë në to; por edhe Perëndia na ka urdhëruar me këte”. Thuaj: “Perëndia nuk urdhëron të punohen vepra të shëmtuara! Përse flisni për Perëndinë atë që nuk e dini?”
(29) Thuaj: “Zoti im urdhëron – drejtësi. Dhe drejtohuni vetëm Atij, kurdo që bëni lutje, dhe lutjuni sinqerisht Atij, duke i bërë përulje! Ashtu siç ju ka krijuar prej asgjëje, ashtu do t’ju ringjallë.
(30) Një pjesë i ka udhëzuar në rrugë të drejtë, kurse pjesa tjetër e ka merituar humbjen. Ata e kanë bërë djallin mik, përpos Perëndisë, dhe mendojnë se janë në rrugë të drejtë.