(31) O bijtë e Ademit, vishuni përshtatshëm kurdo që të luteni! Dhe hani e pini, por mos e teproni; se Ai (Perëndia) nuk i do ata që e teprojnë.
(32) Thuaj: “Kush i ka penguar stolitë e Perëndisë, të cilat, Ai i ka krijuar për robërit e vet, dhe ushqimet e këndshme?” Thuaj: “Ato janë për besimtarë në këtë botë (dhe për të tjerët); e, në botën tjetër, vetëm për besimtarë. Që, kështu, Na ua shpjegojmë argumentet njerëzve që dijnë.
(33) Thuaj: “Zoti im i ka ndaluar vetëm punët e këqia, - qofshin të hapta ose të fshehta dhe mëkatet, shtypjen (dhunimin) pa të drejtë, të bëmurit shok Perëndisë, për të cilën nuk ka kurrfarë argumenti, dhe ka ndaluar të flisni për Perëndinë atë që nuk e dini.
(34) Çdo popull e ka fundin e vet, dhe kur t’i vijë koha e fundit, nuk mund të shtyhet as të shpejtohet, kurrsesi.
(35) O bijtë e Ademit, nëse nga mesi juaj vijnë pejgamberë që ju shpjegojnë dispozitat e Mia, atëhrë, ata që i frikësohen Perëndisë dhe punojnë vepra të mira, nuk ka frikë as pikëllim për ata.
(36) Kurse ata që i mohojnë argumentet e Mia, dhe sillen me mendjemadhësi ndaj tyre, ata do të jenë banorë të zjarrit, në të do të qëndrojnë përgjithmonë.
(37) Kush është më zullumqarë se ai që trillon gënjeshtra kundër Perëndisë ose që mohon argumente të Tij? Atyre do t’u jepet e tërë ajo që është shënuar (në Levhi Mahfudh). E, kur t’u vijnë të dërguarit Tonë (engjëjt), për t’ua marrë shpirtin, do t’u thonë (engjëjt): “Ku janë ata, të cilët ju i adhuroni, përveç Perëndisë”. Ata thonë: “Humbën prej nesh”. Kështu ata dëshmojnë kundër vetes, që kanë qenë mohues.