(38) (Perëndia) u thotë: “Hyni në zjarr me popujt – xhindët dhe njerëzit – të cilët kanë qenë para jush. Dhe kurdo që një popull hyn në zjarr, e mallkon shokun tjetër. E, kur të tubohen të gjthë në të, atëherë ai i fundit u thotë atyre të parëve: “O Zoti ynë, këta na kanë sjellë në humbje, epju dënimin e dyfishtë të zjarrit!” (Perëndia) u thotë: “Për çdonjërin (nga ju) ka dënim të dyfishtë, por ju nuk e dini”.
(39) U thonë të parët atyre të fundit: “Ju nuk keni kurrfarë përparësie mbi ne, prandaj shijoni dënimin për atë që keni punuar.
(40) me të vërtetë, ata që argumentet Tona i konsiderojnë gënjeshtra e të cilët, janë sjellë me mendjemadhësi ndaj atyre, nuk do t’u hapën dyert e qiellit, as që do të hyjnë në xhennet, derisa të mos kalojë devja nëpër birë të gjilpërës. Kështu Na i ndëshkojmë mëkatarët.
(41) Për ta janë përgatitur shtretër zjarri, e mbi ta do të ketë mbulesa zjarri. Kështu Na i ndëshkojmë zullumqarët.
(42) Ata që besojnë dhe punojnë vepra të mira – Na nuk i ngarkojmë më tepër, veç sa kanë mundësi – ata janë banorë të xhennetit, në të cilin do të qëndrojnë përgjithmonë.
(43) Na, nga krahërori i tyre do të zhgulim çdo urrejtje; e nën ta do të rrjedhin lumenjtë. Dhe ata thonë: “Qoftë lavdëruar Perëndia që na udhëzoi në këtë. Ne nuk do të ishim udhëzuar sikur të mos na udhëzonte Perëndia. Me të vërtetë, të dërguarit e Zotit tonë, e kanë sjellë të vërtetën”. Dhe ata do të thërrasin: “Ky është xhenneti që ju është dhënë në trashëgim, për atë që keni punuar”.